Më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përpara se të tërhiqeshin nga Kosova, pas bombardimeve të NATO-s, serbët menduan t’i vinin zjarrin shtëpisë ku u themelua Lidhja e Prizrenit. E pavarësisht asaj ngjarjeje, ajo shtëpi ngre krye edhe sot dhe jeton në kujtimet e çdo shqiptari, pasi pikërisht aty u hodhën bazat e kombit modern shqiptar, duke shkruar kështu historinë e Shqipërisë përpara pavarësisë.
Më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren u takuan krerët e të gjithë rajoneve shqiptare, pa dallime fetare. Asokohe, kërcënimet ishin të shumta. Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar mes Rusisë dhe Turqisë, nuk e llogariste ekzistencën e Shqipërisë. Por, 300 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Prizren, duke zgjedhur si president anëtarin më të vjetër, Iljaz Pashë Dibrën. Të gjithë të pranishmit ranë dakord për të ruajtur me çdo kusht të integritetin territorial të Shqipërisë. Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike mbarëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878. Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.
Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës. Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur atdheun nga rreziku i asgjësimit.
Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë, ashtu edhe me atë të autoriteteve qeveritare osmane. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.
Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.
Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës, duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.
Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qe në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.
Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar u zgjodh Iljaz Pashë Dibra.




